Foto: Atdhe Mulla

Aktakuzë se votoi në të njëjtën ditë dy herë

Kur të zgjedhurit lokal të vitit 2017 po i afrohen gjysmës së mandatit, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi që ngarkohet se votoi dy herë ditën e votimit në dy fshatra të ndryshme të Komunës së Klinës.

Në një njoftim për media, Prokuroria në Pejë njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj të personit me iniciale A.B., për veprën penale “Keqpërdorim i të drejtës së votimit “.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., me datën 22 tetor të vitit 2017, gjatë zgjedhjeve lokale të  vitit 2017, ka votuar dy herë me kusht, fillimisht në fshatin Grabanicë të Klinës, pasi shfrytëzon të drejtën e votimit  me kusht, i njëjtit  me vonë voton prapë me kusht në fshatin Kpuz të komunës së Klinës, mirëpo vota i është refuzuar pas verifikimit nga KQZ-ja në Prishtinë”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës  penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën  penale e cila i vihen në barrë.​