Aktakuzë për vrasjen tragjike në Bresalc

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Liridon Uruqi, i cili dyshohet për vrasjen që ka ndodhur më 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë duke e dërguar në spital.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Gjithashtu, i pandehuri me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht të dëmtuarve-dëshmitarëve Kastriot Haziri, dhe Lirim Muji, pastaj edhe të dëmtuarit-dëshmitarit Gëzim Abazi, duke e ngreh këmbëzën e revoles.

Në këtë mënyrë, ai ka kryer edhe veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm  për armët, ka mbajtur në pronësi armën, me të cilin ka kryer vrasjen, me ç’rast akuzohet edhe për veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjilan, që të njëjtit t’ia vazhdojë masën e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të të pandehurit në procedurë dhe po ashtu t’i shqiptojë edhe dënimin plotësues – konfiskimin e armës së markës TT të kalibrit 7.62 mm.

https://kallxo.com/prokuroria-te-dyshuarit-per-vrasjen-ne-gjilan-tentuan-ta-inskenojne-ngjarjen-si-vetevrasje/?fbclid=IwAR3cjZE-N7bwZkeAgMDW–jW66xlOk1RYy2YUrwpEGZ_eIiBeN-tm082Da8

www.kallxo.com