Foto-ilustrim

Aktakuzë për vrasjen në tentativë në pompën e benzinës në Suharekë

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër 6 personave nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprat penale të vrasjes në tentativë, armëmbajtjes pa leje, lëndimit të lehtë trupor dhe pjesëmarrjes në rrahje.

Sipas aktakuzës, më 4 korrik, në Suharekë, në oborrin e pompës së naftës “Ard com oil”, pas një mosmarrëveshje paraprake që ka pasur i pandehuri E.M., me vëllezërit e të akuzuarit, Sh.G., dhe A.G., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Sh.M.

Në aktakuzë thuhet se e ka lënë takimin në oborrin e pompës së derivateve lidhur me mosmarrëveshjen e ndodhur disa orë më herët dhe, pas takimit dhe zhvillimit të një bisede të shkurtër ka filluar një rrahje e të akuzuarit M.G., së bashku me vëllezërit e tij Sh.G., A.G., dhe A.G., me E.M., dhe A.M., dhe të dëmtuarin  Sh.M.

Kështu, i pandehuri M.G., i cili në brez e kishte pistoletën e markës “M 57”, të kalibrit 7.62 mm, e ka nxjerr dhe ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit Sh.M., ashtu që e ka qëlluar duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe plagë nga arma e zjarrit.

I akuzuari M.G. akuzohet se ka kryer veprat penale vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. SH.G. dhe A.G. akuzohen se kanë kryer veprën lëndim i lehtë trupor. Ndërsa të akuzuarit Sh.G. A.G. dhe A.G. si dhe E.M. dhe A.M. akuzohen për pjesëmarrje në rrahje.

I pandehuri M.G. aktualisht gjendet në paraburgim dhe prokurori me rastin e paraqitjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të vazhdohet kjo masë.