Vendi i ngjarjes i vrasjes së 24 shkurtit në Pejë. Foto: Kallxo.com

Aktakuzë për Vrasjen e 24 Shkurtit në Pejë

Sipas Prokurorisë, i pandehuri H.A. akuzohet për vepër penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje përderisa i pandehuri tjetër I.A. akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrja në rrahje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri H.A. më 24.02.2017 rreth orës 12:00 në Pejë, me dashje privoi nga jeta të ndjerin I.N. dhe ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit B.N.

Aktakuza përshkruan se pas një mosmarrëveshje në mes të të lartcekurve, i pandehuri ka nxjerrë një revole nga çanta e tij me të cilën shtënë në drejtim të të ndjerit dhe të dëmtuarit.

I pandehuri tjetër I.A. akuzohet se në vendin dhe kohën e përshkruar më lart, me dashje ka fshehur provat me të cilat është kryer vepra penale.

Në mënyrë specifike, I.A. pas kryerjes së veprës penale të vrasjes nga i pandehuri H.A. e kishte marrë armën me të cilën është privuar nga jeta i ndjeri I.N. dhe e kishte fshehur në shtëpinë e tij.

Arma më vonë ishte gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri I.A. me datën dhe kohën e njëjtë akuzohet se ka marrë pjesë në rrahje e cila rezulton me vdekjen e të ndjerit I.N. dhe plagosjen e të dëmtuarit B.N.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë, t’i dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë dhe të konfiskohet arma me të cilën është kryer vepra penale.

http://kallxo.com/vrasja-ne-peje-video-nga-vendi-ngjarjes/