Foto-ilustrim

Aktakuzë për Vrasje Kundër Dy Personave

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Xh.H. dhe N.M., për shkak se kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës i pandehuri Xh.H., më datë 27 janar 2016, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.M., dhe e ka vënë në rrezik jetën e N.M., me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

“Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.6 dhe 1.5  të KP-së”, njofton përmes një komunikate Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Po ashtu, i njëjti person ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KP-ës, pasi që ka mbajtur në posedim pistoletën e prodhimit “Crvena zastava”  të kalibrit 7.65 mm.  MOD 70 me nr. serik 59911”, thekson më tej komunikata.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari i dytë N.M., në kohën dhe vendin e njëjtë, me dashje ka ndihmuar të akuzuarin Xh.H. në kryerjen e veprës penale të përshkruar si në dispozitivin e parë, çka do të thotë se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në ndihmë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafin 1.6 dhe 1.5 lidhur me nenin 33 të KP-së.