Shkolla "Mustafa Bakiu", Prizren. Foto: Shkolla/Web

Aktakuzë për Falsifikim për Drejtoren e Shkollës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për falsifikim të dokumentit zyrtar ndaj Behare Kryeziut, një drejtoreje të një shkolle në këtë komunë.

Sipas aktakuzës, Behare Kryeziu më 23.11.2016, në cilësinë e personit zyrtar, si drejtoreshë e SHFMU “Mustafa Bakiu” në Prizren, me nënshkrimin e saj dhe me vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar i cili përmban të dhëna të rreme.

Ajo akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dokumentin, përkatësisht vërtetimin në emër të qytetares S.A., kinse e njëjta kishte punuar në këtë shkollë.

Vërtetimi i lëshuar, i shërbente asaj për punësim.

Prokuroria thotë se me këto veprime B.K. ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.