Foto-ilustrim

Aktakuzë për burrin që dyshohet se rrahu me shufër metalike të dashurën

Një burrë nga Gjilani po akuzohet për lëndim të lehtë trupor për shkak të dyshimit se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës.

I dyshuari L.Z. i gjendet nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 25 janar 2019.

Sipas aktakuzës, më 24 janar 2019, në fshatin Kufcë, komuna Gjilan, i pandehuri me dashje dhe në vazhdimësi, ka përdorur dhunë psikike dhe fizike ndaj të dashurës së tij, të dëmtuarës A.I., ashtu që pasi me veturën e tij arrijnë në dalje të fshatit, i njëjti me një shufër metalike e godet në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Gjithashtu, më 25 janar 2019, duke udhëtuar në drejtim të Prishtinës, i pandehuri përsëri përdorë dhunë fizike ndaj saj, duke e goditur disa herë me grushte në kokë dhe trup, ku pasi arrijnë në Prishtinë, e dëmtuara arrin që të largohet nga i pandehuri, me ç’rast edhe e paraqet rastin në polici dhe për shkak të lëndimeve të marra detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në QKUK, në Prishtinë, e më pas edhe në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.

Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën penale.