Aktakuzë Ndaj Togeres së Policisë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj oficeres së Policisë, toger Gjyljeta Kasapi, e cila akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Kasapi akuzohet se më 17.12.2014, në fshatin Cerkolez të Istogut, si mbikëqyrëse në Stacionin Policor në Vitomiricë, në Njësinë Kufitare, ka keqpërdoruar pozitën zyrtare për qëllim përfitimi të dobisë pasurore për tjetrin, në këtë rast për tashmë dëshmitarin Vlladan Tomasheviq.

Aktakuza precizon se një natë para ditës kritike, e akuzuara Kasapi dhe tani dëshmitari Tomasheviq, kishin shkëmbyer SMS në mes tyre me gjuhë të koduar, për kryerjen e veprës penale.

Sipas aktakuzës, Tomasheviq i kishte dërguar një SMS me fjalët “nesër po e din ti… ta boj zile prej naltit…”, me ç’rast e akuzuara ishte përgjigjur “në rregull nesër jam unë…”.

Aktakuza vazhdon se e pandehura ishte nën përgjim dhe përcjellje të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe në ditën kritike hasin në tashmë dëshmitarin Tomasheviq, i cili ilegalisht me kamionin e tij po transportonte 3 lopë, të cilat i janë konfiskuar.