Salih Kçiku, Drejtor i Prokurimit në Komunën e Gjilanit- Foto: Facebook

Aktakuzë Ndaj Shefit të Prokurimit për Punësimin e Vajzës dhe Mbesës

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj shefit të prokurimit në Gjilan, Salih Kqiku.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku i konfirmoi KALLXO.com se aktakuza ndaj Kqikut është ngritur për dy vepra penale.

“Po është ngritur aktakuzë ndaj personit që ju po i referoheni. Aktakuza është ngritur për dy vepra penale, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe asgjësim te dosjeve në arkiva te zyrës se prokurimit”, tha Maloku për KALLXO.com.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se gjatë vitit 2014 në Gjilan, i pandehuri (Salih Kqiku) në cilësi të personit zyrtar si drejtor i prokurimit në Komunën e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie, duke punësuar dy familjarët e tij në këtë mënyrë ka vendosur një OJQ “Psikoterapeutët në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se në këtë zyrë kanë qenë të vendosura dosjet e tenderëve e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan të cilat zyrtarët policor nuk kanë mundur ti gjejnë, e ku rezultojnë të asgjësuara.

Në organizatën jo qeveritare “Psikoterapeutët në Veprim”, Kqiku ka punësuar vajzën e tij dhe mbesën e tij.

Shefi i Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Salih Kqiku tha për KALLXO.com se nuk është në dijeni për aktakuzën e ngritur ndaj tij.

“Të them të drejtën unë nuk jam fajtor për atë çështje. Nuk jam njoftuar nga ana e prokurorisë në lidhje me këtë aktakuzë, për aktakuzën kam marrë vesh përmes portaleve”, tha Kqiku për KALLXO.com.

Kryeprokurori Maloku, për KALLXO.com tha edhe se gjatë javës do të ngriten edhe dy aktakuza të tjera ndaj dy zyrtarëve të tjerë komunalë.