Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj | Foto: KALLXO.com

Aktakuzë ndaj Sali Asllanajt për transportin e nxënësve

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, dhe dy të dyshuarve tjerë në një rast që ka të bëjë me transportin e nxënësve në këtë komunë.

Prokuroria njoftoi të hënën se aktakuza është ngritur ndaj ish kryetarit të komunës Asllanaj; ish drejtorit komunal të Arsimit me inicialet Sh.B. dhe drejtorit të shkollës “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, me inicialet M.H.

Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, lidhur me  Marrëveshjen për Mirëkuptim dhe Bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për menaxhimin e financave publike si dhe Rregulloren financiare.

Prokuroria tha se dëmi që i është shkaktuar buxhetit me këtë rast kap shifrën prej 10,556 euro.