Aktakuzë Ndaj Katër Deputetëve të Opozitës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti sot aktakuzë ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit.

Lajmin e bëri të ditur Institucioni i Prokurorit të Shtetit me anë të një komunikate.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër katër personave, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatë.

Komunikata tregon edhe për çfarë akuzohen tre deputetët e “Vetëvendosjes” dhe deputetja e AAK-së.

“Të pandehurit Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli akuzohen që secili veç e veç kanë kryer veprat penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare,” sqaron komunikata.

Albin Kurti u arrestua më 28 nëntor, Donika Kadaj-Bujupi më 18 nëntor, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu më 8 dhjetor.

Përveç Donika Kadaj-Bujupit që ndodhet në arrest shtëpiak, tre të tjerët janë në paraburgim.