Aktakuzë Ndaj ish- Shefit të Prokurimit në Lipjan

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka ngritur aktakuzë kundër ish- shefit të prokurimit në Komunën e Lipjanit.

“I pandehuri R.Z akuzohet për kryerjen e veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas prokurorisë, i pandehuri ka keqpërdorë detyrën zyrtare gjatë kohës sa ishte në pozitën e menaxherit të prokurimit.

“R.Z ka shkelë rregullat e Ligjit të Prokurimit Publik me qëllim që një operatori ekonomik t’i mundësojë fitimin e tenderit dhe përfitimin material për vete apo personin tjetër”, thotë Prokuroria.

Për rastin të njoftuar janë edhe Komuna e Lipjanit.

Sipas drejtorit aktual të prokurimit, Adem Duriqi, ish kolegu i tij dyshohet për periudhën e vitit 2012 dhe 2013 për keqpërdorim të detyrës.

Ai tha se shumat të cilat i ka tejkaluar i akuzuari R.Z. arrijnë vlera milionëshe.

“Jemi në dijeni…Janë më së 19 tenderë të cilët janë tejkaluar të cilët nuk kanë qenë të paraparë,  e që tejkalojnë vlerën 3 milionë euro, ndërsa janë 3- 4 tenderë që janë duke u hetuar”, tha Duriqi.

Ai tha se ish drejtori më nuk bën më pjesë në stafin e komunë së Lipjanit.