Komuna e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë Ndaj ish-Drejtoreshës së Arsimit

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-drejtoreshës së Arsimit, Ajmane Berani.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Ajmane Berani akuzohet se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Ajmane Berani me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore i ka shkaktuar dëm personit tjetër, tani të dëmtuarës Mirdona Istrefi, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së ngritur në fund të vitit të kaluar tani e akuzuara nuk e ka përfillur vendimin e komisionit për pranimin e mësimdhënësve për lëndën e psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“ në Mitrovicë lidhur me konkursin plotësues që ishte shpallur në dhjetor të vitit 2014.

Në këtë vendim komisioni kishte vendosur për pranimin në punë të kandidates Mirdona Istrefi, ndërsa në vendin e saj tani e pandehura ka pranuar një kandidate tjetër.

“Me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzë.

Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë kishte rekomanduar që të shpallej konkurs për mësimdhënës të lëndës së psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi“, në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së rekomandimit, mirëpo e pandehura nuk kishte vepruar sipas këtij rekomandimi.

Ndryshe Ajmane Barani në shtator të vitit 2015 së bashku më gjashtë drejtorë të tjerë komunalë ishte shkarkuar për shkak të performancës së dobët, shkak i së cilës ishte edhe prishja e koalicionit të atëhershëm.

Ndërsa më vonë ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në gjimnazin “Frang Bardhi“.