Aktakuzë Kundër Katër Personave

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Pejë kundër katër personave, të cilët akuzohen për veprat penale: kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe Keqpërdorim i informatës zyrtare.

Të pandehurit A.Sh. dhe M.Sh. akuzohen se gjatë periudhës 1.5.2013 e deri më 1.8.2014, si persona zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke kërkuar dhe marrë shumën prej dyqind euro secili.

Me këto veprime ata kanë kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, te të njëjtit më 11.9.2014, gjatë bastisjes janë gjetur armë zjarri pa leje të organeve kompetente, me çka kanë kryer veprën penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve.

Ndërkaq, dy personat e tjerë, M.K. dhe S.B. akuzohen nga Prokuroria se gjatë periudhës 23.6.2014 e deri më 4.8.2014, në Pejë, si persona zyrtarë kanë keqpërdorur informatën zyrtare, me qëllim që tjetrit t’i krijojnë përparësi që nuk i takon.

Të njëjtit Prokuroria Themelore në Pejë i kishte autorizuar për zhvillimin e hetimeve paraprake kundër dy personave zyrtarë, A.Sh. dhe M.Sh., për të cilët kishte informata për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mirëpo M.K. dhe S.B., të pandehurit A.Sh. ia kanë përcjellë informatat konfidenciale rreth masave të fshehta teknike që Prokuroria i ka ndërmarrë kundër të njëjtit, konkretisht lidhur me masat e përgjimit, hetimit financiar dhe simulimit të veprës penale të korrupsionit.

Me këto veprime të pandehurit M.K. dhe S.B. kanë kryer vepër penale: Keqpërdorim i informatës zyrtare.

Prokurorja e rastit nga ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.