Pamje nga një seancë e kaluar e Kuvendit| Foto: KALLXO.com

Aktakuzë Kundër Deputetit Etem Arifi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Etem Arifi, deputet në Parlamentin e Kosovës dhe të pandehurit  B.G. për veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje.

I pandehuri Etem Arifi u akuzua edhe për veprën penale ushtrim i ndikimit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646,00€.

Sipas PSRK-së, këto para nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë por janë përvetësuar nga të pandehurit Etem Arifi dhe B.G. dhe për persona të tjerë.

Prokuroria ka propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor të pandehurit të shpallën fajtorë për veprën e kryer penale dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të obligohen t’ia kompensojnë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën prej  22.900,00€ si dhe Zyrës së kryeministrit për komunitete shumën prej 2.749,00€.

Etem Arifi është deputet nga radhët e Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI), ndërsa pjesë e grupit parlamentar të LDK-së.