Foto: Ilustrim

Aktakuzë e Re për Luftën në Siri

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com Halili më 22 qershor 2014 udhëtoi nga Aeroporti i Prishtinës drejt Turqisë, ndërsa një ditë më vonë kaloi ilegalisht kufirin mes Turqisë e Sirisë për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Prokuroria e akuzon Vilson Halilin se mori pjesë në veprimtari të ndryshme të asaj organizate.

Prokuroria Speciale në këtë rast si dëshmitar ka edhe Floretin Bajramin i cili është dënuar më 10 mars të këtij viti nga Gjykata Themelore në Gjilan me 3 vjet burg efektiv po për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

http://kallxo.com/tre-vjet-burg-per-pjesetarin-e-isis-it

Në mbrojten e tij të dhënë në prokurori i akuzuari Vilson Halili ka thënë se në fillim të pranverës së vitit 2014 ka njohur disa persona të cilët frekuentonin një xhami ku predikonte vazhdimisht imami  Zeqirja Qazimi.

Edhe Zeqirja Qazimi është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj për rekrutim për terrorizëm.

http://kallxo.com/zeqirja-qazimi-flet-per-lavdrim-muhaxherin-e-ridvan-aqifin/

Halili më tutje ka treguar para prokurorisë se ka takuar një person me emrin Irfan, i cili e kishte shtyrë dhe bindur që të shkonte t’u ndihmonte familjeve siriane. Sipas Halilit ky person e ka dërguar  Aerportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe e ka siguruar se në vendin Adana të Turqisë dikush do të presë atë.

Prokuroria Speciale pretendon se pas një muaji të qëndrimit në Siri Vilson Halili është dërguar të trajnohet në një kamp ushtarak dhe pas 4-5 muajsh është takuar edhe me Floretin Bajramin nga Gjilani, ku pasi kanë kërkuar të ktheheshin në Kosovë ata janë futur në burg për afërsisht një muaj e gjysmë.

Halili e Bajrami ishin liruar nga burgu i ISIS-it vetëm pasi kishin thënë se janë penduar, ndërsa ishin dërguar më pas në qytetin Tabka, ku kishin takuar një njeri që dinte gjuhën angleze dhe ai i kishte përcjellë deri në qytetin Hatai të Turqisë.

Pastaj Halili e Bajrami ishin nisur për Kosovë.

Hetimet ndaj Vilson Halilit nisën më 3 shkurt 2015 nën dyshimin se ai kishte kryer veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.