Mitrovica - Foto: Petrit Rrahmani

Aktakuza: I akuzuari ishte i bindur që dy personat që i theri me thikë kishin vdekur

Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e të akuzuarve Valon Sadiku dhe Muharrem Kurti.

Prokuroria e Mitrovicës po akuzon Valon Sadikun se në mars të vitit 2014 në Mitrovicë me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit Labinot Haxhiu dhe Fidan Ferizi.

Të akuzuarit Muharrem Kurti e Valon Sadiku si dhe vëllai i të pandehurit Valon Sadiku, i mituri A.S., kishin pasur një konflikt verbal dhe fizik me të dëmtuarit Labinot Haxhiu e Fidan Ferizi dhe të miturit e tjerë D.I., I.F. dhe B.V.

Sipas akuzës, një ditë para rrahjes, i dëmtuari Labinot Haxhiu kishte pasur mosmarrëveshje me vëllain e të pandehurit Valon Sadiku, të miturin A.S.

Ndërsa  i akuzuari Sadiku e kishte goditur Labinot Haxhiun me thikë në gjoks, kurse Fidan Ferizin e kishte goditur prapa në shpinë.

I bindur se i kishte mbytur, ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Ndërsa i akuzuari tjetër Muharrem Kurti akuzohet për veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.

Seanca e sotme u shty me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Valon Sadiku, avokatit Vehbi Kajtazi, cili kishte njoftuar paraprakisht Gjykatën se është caktuar në një seancë në Gjykatën e Mitrovicës dega në Vushtrri.

Kajtazi kishte arsyetuar se ky rast penal ishte afër parashkrimit andaj nuk mund të shtyhej.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as përfaqësuesi i të dëmtuarve Eron Prekazi, për te cilin gjyqtari Burim Ademi njoftoi se ishte ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Nga këto rrethana gjyqtari Ademi njoftoi se për shkak të mungesës së mbrojtësit seanca e sotme do të shtyhej.

Seanca e radhës u caktua për më 15 nëntor.