Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com
Aksioni në veri të Mitrovicës, ushtria e Serbisë në gjendje gatishmërie
Presidenti i Serisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas aksionit të gjerë të Policisë së Kosovës i cili është duke u zhvilluar në veri të Mitrovicës, ku deri më tani janë arrestuar 10 persona.
Gazeta B92 në Serbi raporton se pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ushtria e Serbisë dhe MPB-ja janë vënë në gjendje të plotë gatishmërie.
“Presidenti serb lëshoi një urdhër për të vendosur ushtrinë e Serbisë në gatishmëri të plotë luftarake. Gjithashtu, e njëjta u bë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Brendshme ka vënë në gjendje të plotë gatishmërie njësinë të policisë pas hyrjes së njësive të ROSU-ve në veri të Kosovës”, raporton B92.
Deri më tani numri i të arrestuarve nga aksioni i njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës ka shkrua në 10 persona.
KALLXO.com merr vesh se në mesin e të arrestuarve ka edhe pjesëtarë të policisë nga stacioni në veri të Mitrovicës.
KALLXO.com ju sjell foto nga aksioni brenda stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës.
KALLXO.com raportoi se një pjesëtar i Policisë është plagosur lehtë me armë zjarri gjatë këtij aksioni – ku deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar, njëri prej tyre komandant i Policisë në Zubin Potok.
KALLXO.com ju sjell pamje ekskluzive nga ky aksion i gjerë i Policisë së Kosovës në veri të vendit, aksion i cili ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Që nga fillimi i këtij aksioni, në pjesën veriore janë aktivizuar alarmet, të cilët njëjtë aktivizohen sa herë që organet e rendit ndërmarrin aksione në përmbushjen e obligimeve ligjore.
Prokurori i rastit Sylë Hoxha ka thënë për KALLXO.com se deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar nga Policia. Në mesin e të arrestuarve është edhe komandanti i Policisë në Zubin Potok.
Hoxha nuk ka dhënë më shume detaje lidhur me aksionin e sotëm, pasi sipas tij aksion është ende në zhvillim e sipër.
KALLXO.com raportoi që nga orët e para të mëngjesit për aksionin ne ndërmarrë nga ana e Policisë në veri të vendit.
KALLXO.com nga vendi i ngjarjes ka siguruar pamje ku shihen njësi të shumta të Policisë së Kosovës.
KALLXO.com është në vendin e ngjarjes dhe do ju mbaj të informuar rreth këtij aksioni të gjerë kundër kontrabandës.