Aksioni në Veri: 19 policë arrestohen dhe suspendohen nga puna

Miradije Kelmendi nga Inspektorati Policor i Kosovës në konferencë për media, ka treguar për planin operativ për arrestimin e disa personave përfshirë edhe zyrtarë policor, gjatë operacionit të sotëm në veri të vendit.

Kelmendi bëri të ditur se në këtë operacion janë bastisur 12 lokacione si dhe 19 punonjës policorë janë arrestuar.

“Prej tyre 11 janë të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe  4 të nacionalitetit boshnjak. Prej tyre 1 ka qenë i gradës kapiten, 3 në gradën e rreshterit dhe të tjerët pjesëtarë policorë”, ka thënë ajo.

Kelmendi shtoi se zyrtarët policor janë suspenduar nga puna.

“Të gjithë të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë”, tha zyrtarja e IPK-së në konferencën për media.

Sipas Kelmendit, gjatë aksionit janë konfiskuar edhe gjësende të ndryshme si armë, pajisje teknologjike dhe para.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një operacion në komunat veriore, ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë ku ka pasur edhe policë të plagosur.

LINKU i konferencës së Prokurorisë dhe Policisë për aksionin e sotëm në veri.