Aksion vullnetar për pastrimin e lumit Kriva Reka në Kamenicë

Aktivistët e Komunës së Kamenicës në bashkëpunim me Komunën po organizojnë një aksion pastrimi të lumit në fshatin Ajnoc.

Kjo është bërë e ditur nga aktivisti Arian Mavriqi përmes një publikimi në Facebook.

Ai në publikim ka thënë se me pastrimin e rrjedhës së lumit do të krijojë kushte të favorshme pasi uji i këtij lumi përdoret për pije. Po ashtu, për ruajtjen e biodiversitetit, sidomos të Lejlekut të Zi, i cili ushqehet në këtë lumë dhe specieve të tjera që janë në rrezik zhdukjeje.

“Pas një takimi që kisha sot me Nënkryetarin e Komunës se Kamenicës z. Bojan Stamenkovic shumë shpejtë do kemi një iniciative për të pastruar lumin e Fshatit Ajnoc aty ku është prezent Lejleku i Zi (Ciconia nigra) dhe specieve te tjera të rrezikuara për zhdukje në mënyre që bashkë me qytetarët e atij lokaliteti ti krijojmë kushte më të favorshme pikë se pari faktorit njeri (pasi qe uji i atij lumi përdoret për pije), pastaj edhe habitatit te faunës tonë e sidomos ne at pjesë që janë disa lloje që na duhet ti ruajmë me maksimumin e mundshëm. Na duhen vullnetarë për këtë aksion, ju lutem konfirmoni nëse doni te jeni pjesë e këtij organizimi publikisht ose privat”, ka shkruar Mavriqi.

Ndryshe, gjatë vitit 2018 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me organizatën “Let’s Do It Kosova”,  pas përfundimit të fushatë kanë ndarë grantin prej 1.2 milion euro për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky i cili kishte zgjatur tre muaj.

Nga ky fond përfituan Komuna e Kamenicës ishte shpërblyer me 150 mijë euro.

Ndërsa, në konferencën përmbyllëse të aksionit “ Ta pastrojmë Kosovën” ministri  i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka deklaruar se nga ky aksion janë larguar mbi 900 deponi ilegale dhe mbi 30 mijë tonë mbeturina në gjithë Kosovën.

“Janë mbi 30 mijë tonë të mbeturinave të larguara, dhe mbi 900 deponi ilegale të larguara. Kemi një udhëzim administrativ me gjoba mandatorë dhe janë mbi 100 dënime të shpërndara, nuk do të lejojmë që asnjë person i papërgjegjshëm ta dëmtoj ambientin. Tash kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ prej 7 milion eurosh për komunat për grumbullimin e mbeturinave”, kishte deklaruar Matoshi.

Në fotografitë e publikuara nga Mavriqi, në bregun e lumit shihet sasi e madhe e mbeturinave.