Aksion për më pak Vdekje në Komunikacion

Organizata Qendra për Zhvillim Multikulturor “Impact” çdo vit më 23 prill nderon këto viktima, duke u lidhur me përvjetorin e vdekjes së një të riu në vitin 2009.

Naim Berisha, organizator, tha se nderimi i viktimave të komunikacionit zhvillohet vullnetarisht, pa mbështetje institucionale, por me qëllimin e vetëdijesimit të qytetarëve për kujdes në trafik.

“Ne kemi vendosur për shkak të specifikës që ka Kosova në relacion me vendet e tjera të rajonit të Evropës që ta kemi një ditë vendore në mënyrë që kjo të jetë datë edhe përkujtimi për viktimat e komunikacionit rrugor por edhe datë sensibilizuese  për qytetarët e tjerë në mënyrë që të kemi sa më pak viktima në komunikacion,” tha Berisha.

Ndërkaq, Elmi Fazliu një ish-futbollist i cili vetë ishte viktimë e aksidentit rrugor bëri thirrje për vazhdimin e aksionit edhe nesër me ndalim simbolik për pesë sekonda.

“I ftoj të gjithë qytetarët e vendit që gjenden në rrugë që nesër në orën 12:00, ku nuk e pengojnë trafikun, të stopojnë për pesë sekonda në shenjë solidarizimi për viktimat e trafikut. Ky mesazh do të ndikojë edhe te vozitësit që gjenden në rrugë dhe t’i porosisë ata që të kenë kujdes më të shtuar,” bëri thirrje Fazliu

Në rrugët kryesore të kryeqytetit u realizua performanca me dy djem që kalonin rrugën në zebra, njëri i gjallë, e tjetri që simbolizonte shpirtin e një të vdekuri në komunikacion, ndërsa mbante një pankartë ku shkruante “Më Kujto, Më Kujdes”.

Organizata Qendra për Zhvillim Multikulturor “Impact”  organizon shënimin e kësaj dite që nga viti 2011.

Vitin e kaluar u ndezën qirinj për viktimat e trafikut në Kosovë.

http://kallxo.com/qirinj-per-kujtim-te-te-vdekurve-ne-trafik/

Gjatë 2015-ës kishte shtim të numrit të aksidenteve me të vdekur.

http://kallxo.com/tetor-2014-tetor-2015-300me-shume-aksidente-fatale/