Akreditimet, përplasen AKA e KShC në Komisionin për Arsim

Tejkalimi i kompetencave të Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Akreditimit për rikthimin e akreditimeve të disa institucioneve të arsimit të lartë, ka bërë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të pezullojë punën e tyre.

E kjo ishte arsyeja pse Komisioni për Arsim i ftoi të dyja palët në një takim.

I pari që mori fjalën ishte kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni, i cili para anëtarëve të këtij Komisioni tregoi si ka rrjedhur e gjithë ngjarja.

“Në Komisionin e ankesave kanë ndodhur disa aprovime të akreditimeve të cilat ne i kemi hequr për disa kolegje dhe institucione të arsimit të lartë dhe disa ankesa kanë kanë kaluar në këtë komision. Pas kësaj ne e kemi mbajtur një mbledhje dhe e kemi shfuqizuar rregulloren e këtij Komisioni. Kemi pasur takime edhe me ministrin dhe kemi kërkuar interpretim ligjor nga ana e MAShT”, tha Luboteni.

Ai shtoi se vetëm KShC sipas Ligjit për Arsimit e Lartë ka të drejtë të japë akreditime dhe jo Komisioni i Ankesave.

“Në nenin 22 thuhet që KShC është i vetmi organ që ka të drejtë të japë akreditimin, ndërsa Komisioni është i rregulluar me udhëzim administrativ. Mirëpo ne e kemi aprovuar tash rregulloren e re dhe është dërguar te të gjitha palët”, shtoi ai.

Ndërsa, Shukrane Germizaj nga Komisioni i Ankesave të Agjencisë së Akreditimit para deputetëve tha se ky Komision sipas udhëzimit administrativ është shkalla e dytë pas KShC-së.

“Ne jemi si organ i shkallës së dytë sepse kështu thuhet në udhëzim administrativ. Komisioni i Ankesave vendos dhe i shqyrton po ashtu thuhet se është vendim përfundimtar. Ne s’kemi marrë asnjë vërejtje me shkrim që kemi bërë tejkalim të kompetencave”, tha ajo.

Ajo tha se gjatë kohës që kanë vepruar si Komision kanë shqyrtuar gjithsej 25 vendime.

“Prej tyre 10 kanë qenë për shtyrje të afatit për shkak të vonesës së formimit të komisionit apo të KShC-së, 1 ka qenë në përfundim të procedurës por e kemi lëshu një vendim edhe pse e ka tërhequr, 9 ankesa nga institucionet e larta janë refuzuar dhe kemi lënë në fuqi 19 programe. Prej 25, 3 ankesa të aplikacioneve janë aprovuar, 2 të aprovuara kanë pasur heqje të akreditimit”, tha Germizaj duke shtuar se të gjitha vendimet që janë bërë nga ky Komision janë ligjore.

Tutje Germizaj iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Arsim se cilave universiteteve ua kanë shqyrtuar ankesat.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e Kolegji Universi programit të tërhequr infermieri e përgjithshme bachelor që ka qenë tërheqje dhe master aplikacion. Pastaj është Fakulteti i Studimeve Islame, të cilave iu është aprovuar aplikacioni për akreditim dhe e fundit është e Kolegjit AAB për programin master Komunikim Masiv dhe Gazetari për këtë kemi marrë opinionin e ekspertit ndërkombëtar. Në këtë vendim janë edhe programet e tjera që KShC na ka dërguar neve”, tha ajo.

Ndërsa anëtari i KShC-së, Dukagjin Zeka tha se vendimet e Komisionit të Ankesave i kanë kuptuar nga njoftimet e institucioneve në rrjete sociale.

“Vendimet i kanë dërguar në institucionet e larta dhe pretendimet me i kalu kompetencat janë joligjore sepse ju jeni krijuar me një udhëzim administrativ. Tjetra ne s’e kemi pezulluar punën por rregulloren”, tha Zeka.

Kurse anëtarja tjetër e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Rozafa Koliqi tha se Komisioni i Ankesave ka rikthyer programe të cilat nuk kanë bartës të fushës.

“Nëse ky Komision është thirrur  me vlerësu staf akademik atëherë unë besoj që KShC është i panevojshëm. Unë besoj që asnjëri prej tyre nuk është i thirrur në mjekësi dhe më tepër kam qenë e shokuar kur është lëshu në një institucion të lartë programi infermieri me bartës të programit që s’kanë lidhje me fushën dhe pikërisht për këtë duhet të fokusohen në procedurë dhe jo në përmbajtje”, tha ajo.

Pas kësaj mbledhjeje kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi bëri thirrje që të gjendet një gjuhë e përbashkët mes tyre për zgjidhjen e problemit.

https://kallxo.com/keshilli-shteteror-i-cilesise-pezullon-punen-e-komisionit-te-ankesave/

 

https://kallxo.com/keshilli-shteteror-i-cilesise-miratoi-rregulloren-e-komisionit-te-ankesave/?fbclid=IwAR3AGRrtLx7PYhRlGO9N56yun09sEb9l-Z2WDUp5BoXyTbLhQJ1AdDrhHoo

.