Akreditimet për programet në universitete, me ndikim për rritjen e cilësisë në arsim

Zyra e BE-së në Kosovë dhe Qendra për Arsim e Kosovës, kanë prezantuar studimin e kryer ‘Ndikimi i procesit të akreditimit në sigurimin e cilësisë në Arsimin e Lartë në Kosovë’.

Kushtrim Bajrami nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), tha se raporti në fjalë ndërlidhet me monitorim të aspekteve të ndryshme  të fushës së punësimit dhe arsimit.

“Për akreditimin jeni munduar ta shikojmë se cili ka qenë ndikimi në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Akreditimet, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Akreditim është temë aktuale për shkak të interesimit të shoqërisë dhe rëndësisë që ka në cilësinë e arsimit.  Në AKA, ka pasur ndikime politike që prej ditës kur është themeluar. Mos tu mbetemi në hatër ministrave”, theksoi  Bajrami.

Ndërsa, Stergios Tragoudaa nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se e kanë përcjell nga afër veprimtarinë për akreditimet dhe se sipas tij ka përmirësime, megjithëse edhe sfida të mëdha.

“Kjo është një temë relevante dhe interesante. Ne kemi seksionin e bashkëpunimit dhe  atë politik dhe e  kemi përcjell nga afër temën e akreditimeve nga të dyja seksionet.

Vitin e kaluar në AKA ka pasur turbulenca, por megjithatë  ka pasur zhvillime pozitive. Kemi qenë në diskutime me Universitetin e Prishtinës, sa i përket arsimit të lartë dhe mundësisë që zyra jonë ta financojë këtë agjenci”, tha Tragoudaa.

Zyrtari i BE-së shtoi se për ta është faktor kyç që të sigurohet cilësia dhe kualiteti në arsimin e lartë në Kosovë.

Kurse, Shkëlzen Gërxhaliu nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, tha se puna e AKA-së ka qenë tabu në Kosovë me që rast edhe i është dëmtuar imazhi.

“Puna e agjencisë ka qenë tabu. Nuk e di fajin apo se kush ka dashur të përfitojë nga kjo situatë, megjithatë kjo e ka dëmtuar AKA-në. Puna e saj është paragjykuar  ndër vite dhe ka qenë e vështirë të përmirësohet imazhi sepse nuk mund të rregullohet brenda ditës”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, qëllimi i agjencisë nuk është të mbyllë programe të fakulteteve, por të sigurohet që ka aftësi dhe kompetenca për studentët që dalin në treg të punës.

Ndërkaq, hulumtuesja nga Qendra për Arsim e Kosovës Fjolla Kaçaniku, prezantoi raportin për ndikimin e procesit të akreditimit në sigurimin  e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.

“Akreditimi është i barabartë me ngritjen e cilësisë në arsim. Ekzistojnë shkëputje mes aspekteve formale dhe teknike që shërbejnë për përmirësim të cilësisë. Që nga vitit 2008 ka pasur përmirësime të dukshme për rritjen e cilësisë nga institucionet e arsimit të lartë. Por deri në vitin e kaluar puna e mirë ka stagnuar, për shkak të disa vendimeve”, tha ajo.

Sipas Kaçanikut, sfidat në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë janë, mungesa e një politike të mirëfilltë për sigurimin e brendshëm të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, përgatitja e raporteve të vetëvlerësimit vetëm për qëllime të akreditimit, procesi i hartimit dhe aprovimit të programeve nuk është përmbajtjesor, ekzistojnë mospërputhje ndërmjet programeve të ofruara dhe kërkesa të tregut të punës e të tjera.