Akreditim Laboratorësh për Gjurmë Gishtërinjsh dhe Dokumente

Këtë akreditim sipas standardeve të pranuar ndërkombëtarisht për laboratorët e përshëndeti ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni.

“Agjencia Kosovare e Forenzikës po e përmbyll vitin me një sukses të veçantë dhe ky sukses i radhës është standardizimi dhe akreditimi ndërkombëtar sipas normave 17025,” tha Hyseni

Jean Claude Schlumberger shef i misionit të OSBE-së në Kosovë e quajti të suksesshëm akreditimin e laboratorëve.

“Ky është një akreditim i suksesshëm i Agjencisë së Forenzikës  për ekzaminimin në tri disiplina të rëndësishme në dakteloskopi, ekspertizë të dokumenteve dhe atë të gishtërinjve,” tha Schlumberger.

Dakteloskopia është shkencë që studion gjurmët e gishtërinjve të mbetura gjatë kryerjes së krimeve të ndryshme.

Blerim Olluri, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë tha se është shumë e rëndësishme që ekspertizat forenzike të kenë besueshmërinë e duhur dhe kjo është e mundur vetëm me një standardizim, apo akreditim ndërkombëtar.

Ai në ceremoninë ku u njoftua për akreditimin, tregoi rezultatet e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

“Kemi arritur të akreditojmë tre laboratorët e AFK-së. Këtë vit kemi përfunduar rreth 5 mijë ekspertiza me rreth 42 mijë dëshmi,” tha kryeshefi Olluri.

E pranishme në këtë aktivitet të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kivilcim Kilic, pasi ky shtet ndihmoi akreditimin e laboratorëve.

Në maj të këtij viti laboratorët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë u akredituan edhe për analiza të ADN-së dhe analiza kimike të narkotikëve.

http://kallxo.com/laboratori-i-forenzikes-gati-per-analiza-te-adn-se-dhe-narkotikeve/