Nusret Qubreli

AKR-së në Mitrovicë i Largohet një Asamblist

Nusret Qubreli, asamblisti i deritashëm i AKR-së në Mitrovicë ka ndërruar ambient politik.

Ai nga partia e kryetarit Agim Bahtiri ka dalë në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Lajmin për ndërrimin e subjektit politik e bëri të ditur për KALLXO.com vetë Qubreli.

“Kam vendosur të largohem nga AKR-ja dhe t’i bashkëngjitem ‘Vetëvendosjes’ për shkak të mospajtimeve me degën e AKR-së dhe koncepteve e parimeve të mia,” tha Qubreli.

Por koordinatori i AKR-së në Mitrovicë Jeton Ujkani tha se ky subjekt pret që Qubreli të kthehet përsëri në partinë nga e cila doli.

“Nusret Qubreli është kryetar i Nëndegës në Lagjen ‘Ura e Gjakut’ dhe ai është zgjedhur në zgjedhjet e fundit si kryetar. Ne ende nuk kemi bërë kurrfarë riorganizimi në nëndegën e tij, për shkak se presim të kthehet përsëri, se Qubreli është këshilltar komunal i respektuar i AKR-së, sepse është që nga themelimi i AKR-së në Mitrovicë,” tha Jeton Ujkani.

Ujkani deklaroi se nuk e di për çfarë mospajtimi me Degën e AKR-së ka folur Qubreli.

Kalimin e asamblistit Qubreli në “Vetëvendosje” e konfirmoi për KALLXO.com edhe Faruk Mujka që drejton LVV-në në Mitrovicë.

Me Qubrelin Lëvizja “Vetëvendosje” në Mitrovicë do t’i ketë 4 asamblistë, ndërsa AKR-ja 3, nga 5 sa i kishte pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Më herët edhe asamblisti tjetër i AKR-së Gazmend Muja kaloi në PDK.