Pamje nga hapja e ofertave të shitjes së 60 aseteve nga AKP - Foto: KALLXO.com

AKP Shet edhe 60 Asete

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka përmbyllur valën e dytë të shitjes së aseteve në likuidim që nga emërimi i bordit të ri në fund të vitit 2015. Rifillimi i procesit të privatizimit është bërë pas një periudhë të ndaljes për shkak të mungesës së bordit të drejtorëve të kësaj Agjencie.

Ceremonia e hapjes së ofertave të shitjes së Aseteve në Likuidim – 28 është mbajtur të mërkurën, në Prishtinë. Në këtë valë në listën e shitjes kanë qenë 60 asete të ndërmarrjeve shoqërore nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

AKP më 14 dhjetor të vitit 2016 zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.28. Data e fundit për bizneset e interesuara për t’u parakualifikuar ka qenë 11 janari 2017. Ndërsa, dorëzimi dhe hapja e ofertave është bërë të mërkurën, me 18 janar.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është e ngarkuar për të privatizuar ndërmarrjet shoqërore në Kosovë përmes metodës së spin-off-it dhe likuidimit, ndërsa investitorët blejnë përmes tenderit të hapur dhe konkurrues asetet e disa ndërmarrjeve shoqërore të caktuara.

Redaktoi: Visar Prebreza