AKP ndryshon rregullat e tenderit, lehtëson procesin e ofertimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka thjeshtësuar procedurat e ofertimit duke krijuar lehtësira për blerësit që konkurrojnë për të privatizuar prona të ndërmarrjeve shoqërore.

Rregullat e tenderit, me të cilat përcaktohen procedurat e ofertimit kanë ndryshuar, po ashtu me rregullat e reja përgatitja e ofertës nga blerësit me dokumentet përcjellëse do të jetë shumë më e lehtë të bëhet, pasi që do të duhen më pak dokumente.

Për të qenë oferta valide, blerësit tani me rregullat e reja të tenderit duhet të posedojnë vetëm kopjen e dokumentit identifikues, dëshminë e pagesës së depozitimit që është përcaktuar ndaras për secilin aset dhe dëshminë e pagesës së tarifës, të cilat bëhen në llogarinë e AKP-së. Ndërsa dokumenti tjetër që duhet të plotësohet është ai i çmimit me të cilin oferton blerësi.

Agjencia me vendim të Bordit të Drejtorëve ka bërë edhe një varg ndryshimesh të tjera që lehtësojnë gjithë procesin e privatizimit, prej shpalljes së tenderit e deri të shpallja e fituesit dhe nënshkrimi i kontratave me blerësit.

Rregullat e reja të tenderit janë të publikuara edhe në ueb faqen e Agjencisë dhe mund t’i gjeni KËTU.