Mitrovica e Veriut. Foto: Kallxo.com

AKP Liron Prona Shoqërore të Uzurpuara në Mitrovicën e Veriut

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) bëri të ditur të premten se në kuadër të aktiviteteve për lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore nga uzurpues apo shfrytëzues të tyre pa kontrata të qirasë, liroi dhe mori nën administrim edhe dhjetë prona shoqërore në pjesën veriore të Mitrovicës.

Me këtë veprim, AKP tha se ka shënuar “një progres të madh” në administrimin e të gjitha aseteve në pronësi shoqërore ashtu siç parashihet me mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së.

Fillimisht Agjencia, me asistencën e Policisë së Kosovës, ka liruar një pronë të ndërmarrjes shoqërore “Lux”, ndërkaq pas intervenimit dhe lirimit të këtij lokali, në nëntë raste të tjera shfrytëzuesit e pronave kanë shprehur gatishmërinë për të njohur autoritetin administrativ të AKP-së dhe kanë nënshkruar kontrata të qirasë. Të dhjetë lokalet që administrohen tani nga AKP janë asete të ndërmarrjes shoqërore “Lux”.

Trajtimi i këtyre rasteve të uzurpimeve apo shfrytëzuesve të paligjshëm ishte objektiv i Agjencisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë për investitorët e interesuar për pjesëmarrje në procesin e privatizimit, thuhet në komunikatën e AKP-së.