Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik | Foto: KALLXO.com

AKP-ja nuk Arrin t’i Largojë Uzurpatorët e Pronave në Veri

Edhe pse zyrtarë të AKP-së gjatë shqyrtimit të Raportit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për Vitin 2016 në Komisionin për Zhvillim  Ekonomik konstatuan zvogëlimin e pronave të uzurpuara, ende një numër i tyre nuk janë liruar nga uzurpimi.

“Në vitin 2016 kemi kryer një punë të madhe, nga 600 asete që kanë qenë në listën e uzurpatorëve tani e kemi sjellë një listë në 57 asete ku 25  janë në veri të Kosovës dhe I kemi 30 toka bujqësore që mund t’i konsiderojmë si uzurpime klasike”, tha  Ekrem Hajdari drejtor ekzekutiv i AKP-së.

Ai tha se janë në bisedime me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut që për ato lokale qe janë të uzurpuara të arrihet një marrëveshje për pagimin e qirasë.

Por, sipas tij, lirimi i 600 uzurpimeve në vitin 2016 ka rezultuar me ngritje të të hyrave në buxhetin  Kosovës.

Ai tha se në vitin 2016 janë inkasuar 6 milionë euro nga qiratë që janë marrë nga ato biznese, ndërsa në vitet 2014-2016 janë arritur vetëm 13 milion euro inkasim .

KALLXO.com vitin e kaluar shkroi për disa raste të lirimit nga uzurpimi të pronave të AKP-së.

http://kallxo.com/aksion-kunder-uzurpimit-ne-hotel-victory/

http://kallxo.com/bllokimi-nga-policia-lokalit-te-uzurpuar/

Sipas Kryeshefit të AKP-së, Gjykata e Dhomës së Posaçme  është bërë një nga problemet  më të mëdha, për moszgjidhjen e lëndëve për konteste pronësore.

Ai tha se janë transferuar rreth 90 milionë euro në buxhetin e  Kosovës, ndërsa është shpërndarë 20 përqindëshi për 11 mijë punëtorë nga 93 ndërmarrje shoqërore në vlerë prej 5.7 milionë eurove, kurse kanë mbetur peng për 20 përqindëshin  si shkak i moszgjidhjes së lëndëve nga Dhoma e Posaçme.

“Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka caktuar masë të përkohshme ndaj një aseti i cili ka qenë në valën 37 në vitin 2009. Nga viti 2009, kontesti gjyqësor ende nuk është zgjidhur”, thuhet në raportin që AKP-ja ka dorëzuar në Kuvendin  Kosovës.

Sipas këtij raporti, të gjitha proceset (administrimi, shitja, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Raporti Vjetor për Vitin 2016 për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe likuidimi) lidhen me gjykatat.

“Janë mbi 30,000 raste gjyqësore që duhet trajtuar në instanca të ndryshme, prej të cilave rreth 23,000 janë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ndërsa rreth 7,000 janë në gjykatat e rregullta në Republikën e Kosovës”, thuhet më tutje në këtë raport.

Ndërsa Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, edhe pse tha që punët në AKP po ecin mirë në bazë të inspektimeve që ky komision ka zhvilluar aty, ai tha se trendi i punës duhet të përshpejtohet sepse ka shumë çështje që duhet të kryhen.

“Problemet që kemi me administrimin edhe me kërkesat e kreditorëve dhe adresimin  e tyre tejet të ngadalshëm në  Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kanë mbetur në të njëjtin nivel. Ne mund të marrim si shenjë të mirë nëse diçka është përshpejtu, por  në qoftë se 13 ndërmarrje hiqen për një vit, atëherë sa ndërmarrje kemi ne… Prandaj pyetja ime e parë është sa vendime ka marrë dhoma e Gjykatës Supreme ?”, pyeti Muhamet Mustafa.

Ai tha se gjithashtu  dëshiron të dijë se çka do të bëhet më tokat bujqësore që janë nën menaxhimin e AKP-së, ku  sipas tij janë në pyetje 22 mijë hektarë tokë bujqësore.

Kurse tha se qiraja që është akumuluar nga AKP-ja, ku janë rreth 20 milion euro në pyetje të mos mbetet më e ngrirë.

“Nuk ka dilema më që pronat shoqërore  janë të Kosovës dhe i kanë takuar Kosovës, atëherë edhe qiraja vjetore e tyre duhet të shkojë në buxhetin  e Kosovës dhe të shfrytëzohet…ju lus t’i shikoni të gjitha aspektet ligjore me Qeverinë e Kosovës, sepse qiraja nga ato prona duhet të shkojë në buxhet të Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërsa sipas Mustafës , është gjë e mirë që AKP-ja tash ka filluar t’i identifikojë edhe pronat shoqërore që janë jashtë kufijve të Kosovës.

Kurse sipas Besim Beqajt, deputetit të PDK-së në këtë komision, raporti të cilin e kanë marrë, është vetëm një raport me përmirësime teknike nga hera e fundit kur u është dorëzu.

“Në kuptimin substancial çka kemi bisedu nuk ka diçka të kryer dhe unë kam pritë që ato rekomandimet  që kanë dalë nga hera e kalume të jenë më fuqishëm të adresuara. Raporti është faktografi, të dhëna statistikore dhe është përshkrues i pjesës administrative, por jo edhe i hapave që parimisht AKP-ja duhet t’i marrë”, tha Beqaj.

Kurse Petrit Gashi, kryetar i Bordit të AKP-së tha se ata si bord i AKP-së kanë marrë vendim që deri sa nuk qartësohet strategjia për se si të trajtohen tokat bujqësore, të procedohet vetëm me shitjen ose me tenderimin  tokave deri në 5 hektarë.

Ndërsa tha se janë duke shqyrtuar se çka të bëhet me tokat që janë me më shumë hektarë dhe të trajtohen si toka që mund të ju ofrohen investitorëve strategjik.