AKK parandalon rritjen e çmimit të çimentos

Inspektorët hetues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) kanë bërë monitorimin e tregut të çimentos, pas informatave që kanë marrë gjatë ditës së shtunë për ngritje të çmimit.

AKK fillimisht ishte njoftuar nga disa burime se duke filluar nga e hëna do të ketë rritje të çmimit të çimentos për 1 euro më shumë për 50 kilogram në tërë territorin e Kosovës.

“Dyshimet fillestare janë se prodhuesit dhe importuesit kryesorë të këtij tregu, potencialisht, mund të abuzojnë me pozitën e tyre dominuese ose mund të ketë donjë marrëveshje gojore që paralelisht t’i fiksojnë cmimet”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Hetuesit e Autoritetit kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e ndërrmarrjeve të ndryshme të këtij tregu, kanë grumbulluar informata, dhe ua kanë sqaruar dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Inspektorët hetues të AKK-së të hënën kanë arritur që ta parandalojnë rritjen e çmimit të çimentos në tregun relavant”, vazhdon njoftimi.

Aty sqarohet se për të vlerësuar se një ndërmarrje mban pozitë dominuese në tregun relevant ai duhet të kaloj pragun mbi 25% për t’u cilësuar si ndërmarrje dominuese. Ndërsa, dy ose më shumë ndërmarrje të pavarura mund të jenë në pozitë dominuese nëse në raport me konkurrentët e tyre veprojnë bashkërisht në tregun relevant si dhe nëse pjesëmarrja e përgjithshme e tyre në treg është më e lartë se 40 për qind.

Në njoftimin e AKK-së numërohen gjashtë mënyra se si abuzohet pozita dominuese nga ndërmarrjet. Njëra ndër to që është përmendur në njoftim është atëherë kur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë vendos çmimin jo real të blerjes apo shitjes, ose kushte tjera të pa drejta tregtare.

E dyta, kur kufizon prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve.

“Zbatimin e kushteve të ndryshme të transaksioneve për punët e njëjta me ndërmarrjet tjera duke i sjellë ato në një pozitë të pafavorshme në raport me konkurrencën”, thuhet në mënyrën e tretë.

E katërta është kur lidhja e kontratave, me kusht që subjektet kontraktuese të pranojnë detyrime shtesë.

Në pikën e pestë thuhet se pozita dominuese në ndërmarrje abuzohet edhe me vendosje të çmimeve ose e kushteve tjera, që kanë si objekt ose si pasojë pengimin e hyrjes ose nxjerrjen jashtë tregut relevant të konkurrentëve të veçantë ose të një produkti të tyre.

“Refuzimi i hyrjes së një ndërmarrje tjetër, duke i dhënë një shpërblim të përshtatshëm në rrjetin ose në infrastrukturat e ndërmarrjes me pozitë dominuese, nëse ky refuzim i përdorimit të rrjetit ose të infrastrukturave pengon ndërmarrjen tjetër të veprojë si konkurrent i ndërmarrjes me pozitë dominuese Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta monitorojë këtë treg me shumë kujdes dhe nëse vërehen shenja të shkeljes së Ligjit për mbrojtjen e Konkurrencës do të veprojë menjëherë në ekzekutimin e Ligjit”, përfundon njoftimi.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte reaguar të shtunën në lidhje me ngritjen e çmimit të çimentos.

AKK thotë se porsa ka marrë informatat nga informatorë të ndryshëm në terren, inspektorët e saj hetues kanë bërë grumbullimin e informatave.

https://kallxo.com/autoriteti-i-konkurrences-reagon-pas-informatave-rreth-mundesise-se-shtrenjtimit-te-cimentos/

.