AKK: Kreu i Inspektoratit nuk Është në Konflikt Interesi

Për Agjencinë Kundër Korrupsionit ngrirja e postit në polici nga kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Hilmi Mehmeti nuk është konflikt interesi.

Pasi KALLXO.com shkroi më 3 nëntor se Hilmi Mehmeti po ruan pozitën e tij në polici në kohën kur është drejtues i inspektoratit që heton sjelljen e zyrtarëve policorë, i kërkoi me shkresë Agjencisë Kundër Korrupsionit interpretim se a paraqet kjo gjë konflikt interesi.

“Zgjedhja e Kryeshefit të Inspektoratit të Policisë së Kosovës është bërë në harmoni me dispozitat e Ligjit për Inspektoratin e Policisë. Nuk ka asnjë dispozitë të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit që e ndalon ose e kufizon zgjedhjen e Kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës. Po ashtu nuk ka konflikt interesi të pretenduar as në pezullimin e pozitës paraprake të tij,” thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Agjencia Kundër Korrupsionit sugjeron më tutje që “çdo zyrtar i lartë publik është i obliguar që në situata konflikti të interesit gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik të bëjë deklarimin e tij me shkrim dhe të tërhiqet nga vendimmarrja”.

Edhe Hilmi Mehmeti kur foli për KALLXO.com rreth ngrirjes së pozitës së tij në polici, mohoi se për këtë gjë ndodhej në konflikt interesi.

http://kallxo.com/drejtori-ipk-se-ruan-poziten-ne-polici/