Akakuzë Kundër Samet Imishtit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Ferizaj kundër të pandehurit Samet Imishti, i cili dyshohet për veprën penale – bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, sipas nenit 3, par. 4 i Ligjit për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Samet Imishti nga tetori i vitit 2013 deri në muajin nëntor 2015, në vazhdimësi në rrjetin social “Facebook”, përmes profilit të tij personal, ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, nxitje të urrejtjes ndaj koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër organizatës terroriste “ISIS” dhe publikisht ka përkrahur ideologjinë ekstreme dhe veprimet e kësaj organizate terroriste.

Sipas Prokurorisë, Imishti këtë e ka bërë me qëllim që persona ose grupe të ndryshme t’iu bashkohen  formacioneve të armatosura të “ISIS”-it, si dhe ka krijuar kontakte me personat që janë drejtpërdrejt pjesëmarrës në luftën e Sirisë dhe në Irak, duke ftuar publikisht “ISIS”-in që “ta çlirojë edhe Kosovën”.

Gjithashtu, sipas kësaj aktakuze, gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij në fshatin Rezhancë, të akuzuarit nga Policia e Republikës së Kosovës, i është gjetur duke e mbajtur pa leje valide një pushkë të gjatë karabinë MPERY3GE44, një optikë snajperi dhe një fishek.

Ngritjen e aktakuzës për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Nikë Shala.

“Unë jam njoftuar gojarisht nga Prokuroria Speciale se është ngritur aktakuza por ende nuk e kam marrë atë”, tha Shala për KALLXO.com.

Samet Imishti është arrestuar më 1 dhjetor 2015.

http://kallxo.com/si-e-arsyeton-prokuroria-kerkesen-per-paraburgim-te-samet-imishtit/