Grafikë. cilësia e ajrit në Gjakovë - Pejë - Prishtinë - 09.02.2019 - KALLXO

Ajri në Pejë dhe Gjakovë më i ndotur se në Prishtinë

Sipas matjeve të ekipit të KALLXO.com sot në Pejë dhe në Gjakovë, cilësia e ajrit arrin nivele të pashëndetshme të ndotjes.

Nga matjet që janë bërë sot pasdite, në qendër të Komunës së Pejës dhe në qendër të Komunës së Gjakovës, ndotja e ajrit ka arritur nivele të pashëndetshme.

Në Pejë, qendrën e qytetit te Hotel Dukagjini, cilësia e ajrit ka arritur nivelin 157 shkallë.

Gjithashtu janë bërë matje edhe në pika tjera në Pejë të cilat kanë treguar nivele të ngjashme të ndotjes.

 

 

Matësi i ndotjes së ajrit në qendër të qytetit të Pejës – 09.02.2019 – KALLXO

 

Matjet te ‘Ura e parkut të vogël’ në qytetin e Pejës tregojnë se ndotja ka arritur në 157 shkallë.

 

Matësi i ndotjes te “Ura e parkut të vogël” në qytetin e Pejës – 09.02.2019

Matjet te Parku i madh Karagaq, matjet tregojnë ndotje me nivel 170 shkallë.

 

Matësi i ndotjes së ajrit te parku “Karagaq” në Pejë – 09.02.2019

Nivel i ngjashëm i ndotjes është regjistruar edhe në qendër të Gjakovës te Hotel Pashtriku, me 155 shkallë.

 

Matësi i ndotjes së ajrit në qendër të Gjakovës – KALLXO – 09.02.2019

 

Sipas indeksit të cilësisë së ajrit, ndotja mes shkallëve 150-200 konsiderohet e pashëndetshme (unhealthy), sidomos për grupet e ndjeshme të qytetarëve.

Personat me sëmundje të mushkërive, të zemrës, të moshuarit dhe fëmijët janë më të rrezikuar nëse janë të ekspozuar dhe rekomandohet t`i shmangen aktiviteteve në ambiente të jashtme.

Gjithashtu, në këto nivele të ndotjes rekomandohet që edhe njerëzit e tjerë të shmangin aktivitetet e rënda dhe të gjata në ambiente të jashtme.

Ndërsa në Prishtinë, sipas matjeve së Ambasadës Amerikane, aktualisht, niveli i ndotjes është ‘mesatar’ me shkallë të ndotjes 65.

Po ashtu, vlerat e dy matësve tjerë të ajrit në Prishtinë të publikuara në web-faqen ‘AirVisual’, ai në lagjen ‘Aktash’ që matet nga kompania 3CIS, tregon se niveli i ndotjes në këtë lagje arrin shkallën 76.

Ndërsa matjet e bëra nga organizata ‘BONEVET’, që është e stacionuar afër stacionit të trenave, tregojnë nivel më të lartë të ndotjes – 98 shkallë.

Kur vlerat e cilësisë se ajrit janë mes 51-100, sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit konsiderohen si ‘mesatare’.

Në këto shkallë, cilësia e ajrit është e pranueshme dhe paraqet pak ose aspak rrezik për shëndetin e njeriut.