Ilustrim- Pallati i Rinisë - Foto: KALLXO.com (28 janar 2018)

Ajri i Ndotur Alarmon Komisionin Parlamentar

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës.

E vetmja pikë e rendit të ditës është diskutimi për gjendjen mjedisore në Kosovë rreth ndotjes së ajrit dhe propozimet lidhur me këtë gjendje.

Pas gjendjes alarmante që është krijuar në kryeqytet, aktivistë nga shoqëria civile kanë nisur organizimin e një proteste përmes rrjeteve sociale. Protesta pritet të mbahet nesër në Prishtinë.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka dhënë detaje të tjera në lidhje me masat që do të ndërmerren për të ulur ndotjen e ajrit.

Sipas Ahmetit, nga data 31 janar do të fillojë zbatimi i masave emergjente në lidhje me ndotjen e ajrit.

Për këto masa u vendos pas takimit të nënkryetarit të Prishtinës, Selim Pacolli, me ministren e Mjedisit, Albena Reshitaj dhe të ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj.

Ahmeti ka dhënë detaje në lidhje me funksionimin e trafikut urban në këtë kohë.

Ai ka thënë se për shkak të masave që duhen ndërmarrë, duhet bërë reduktimi i numrit të makinave të cilat qarkullojnë në kryeqytet, por siç thekson ai do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit ndërsa do të shfrytëzohen pa pagesë

Masat që janë paraparë të ndërmerren për të ulur shkallën e ndotjes:

  • Reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift). Do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente. Në të dyja rastet, do të shfrytëzohen pa pagesë autobusët e Trafikut Urban, që do të stacionohen në pikat më të frekuentuara.

 

  • Subvencionimi i Trafikut Urban për këtë shërbim bëhet nga ana e Qeverisë së Kosovës.

 

  • Ndalohet shitja dhe përdorimi i thëngjillit në Prishtinë – Drejtoria e Inspekcionit bashkë me Inspektorët e Ministrisë do t’i kontrollojnë bizneset që përdorin thëngjillin si lëndë djegëse, si dhe ekonomitë familjare, ashtu që të ndërmarrin masa në secilin rast ku tejkalohet norma e ndotjes.

 

  • Tashmë, gjashtë ekipe të Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren për të kontrolluar dokumentacionin e automjeteve transportuese, dhe për të verifikuar nëse e kanë bërë kontrollimin sipas ligjit (çdo 6 muaj). Tri ekipe të tjera të Inspekcionit, janë aktivizuar në akset kryesore të hyrjes në Prishtinë, për t’i ndaluar taksitë ilegalë që vijën nga komunat e tjera.

 

  • Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saja për ta tejkaluar këtë situatë emergjente.”