Ilustrimi: Kallxo.com

Ajri i ndotur ‘zhvendoset’ jashtë Prishtinës

Sipas matjeve të Institutit Hidrometeorologjik, në Pejë sot ndotja e ajrit tregon shkallë më të lartë sesa në Prishtinë. Sipas këtyre matjeve, cilësia e ajrit në Pejë është ‘poor’ apo ‘e dobët’.

Vlerat e matësit të ajrit në Prishtinë, i vendosur te ndërtesa e ish- Rilindjes, të publikuara në web-faqen ‘kosovo-airquality’ tregojnë se niveli i ndotjes në këtë lagje është ‘moderate’ apo ‘mesatar’. Gjithashtu, një matës tjetër është i vendosur te ndërtesa e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në dalje të Prishtinës, rruga për Fushë Kosovë, i cili tregon shkallë më të ulët të ndotjes, përkatësisht ‘fair’ apo ‘i kthjellët’.

Ndërsa në Prishtinë, sipas matjeve së Ambasadës Amerikane, të publikuara ne faqen ‘AirVisual’, aktualisht niveli i ndotjes është ‘mesatar’ apo 68 shkallë.

Po ashtu, vlerat e dy matësve tjerë të ajrit në Prishtinë të publikuara në këtë faqe, ai në lagjen Aktash që matet nga kompania 3CIS, tregon se niveli i ndotjes në këtë lagje arrin shkallën 64. Ndërsa matjet e bëra nga organizata ‘BONEVET’, që gjendet afër stacionit të trenave, tregojnë nivel të ngjashëm të ndotjes – 67 shkallë.

Instituti Hidrometeorologjik ka të vendosur edhe monitorë tjerë në Gjilan, Mitrovicë, Han i Elezit, Prizren e Drenas, dhe të gjitha këto, përveç Drenasit, sot tregojnë nivele më të larta të ndotjes së ajrit sesa në Prishtinë.

Këto matje vërtetojnë matjet e bëra gjatë ditëve të vikendit për të cilat ka raportuar KALLXO.com.

https://kallxo.com/ajri-ne-peje-dhe-gjakove-me-i-ndotur-se-ne-prishtine/

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.