Bajram Ajeti, anëtar i Kryesisë së Nismës

Ajeti: Kuvendi Shkeli Ligjin

Sipas Nismës, bëhet fjalë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike të miratuar më 14 dhjetor 2015 në sallën alternative të Kuvendit.

Komisioni për Buxhet dhe Financa për plotësim-ndryshimin e këtij ligji kishte propozuar pesë amendamente, katër nga të cilët ishin miratuar atë ditë, ndërsa njëri jo.

Por Bajram Ajeti, anëtar i Kryesisë së Nismës tha se edhe pse amendamenti numër 2 i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike nuk kishte kaluar në Kuvend, ai është bërë pjesë e ligjit.

“Gjatë seancës kur erdhi çështja që të votohen amendamentet një nga një, atëherë amendamenti dy nuk kaloi, sepse mori vetëm 41 vota të deputetëve prezentë. Ai amendament i cili nuk është aprovuar në Kuvend, ai amendament kamuflohet dhe futet në nenin 4 të ligjit për plotësim-ndryshim me ligjin 05L063,” tha Ajeti.

Amendamenti numër 2 parashikonte ndryshimin e pikës 1 të nenit 5 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Kjo pikë e këtij neni sipas amendamentit 2 parashikohej të ndryshohej me tekstin “në kuadër të Ministrisë së Financave themelohet Departamenti i Buxhetit, i përbërë nga Divizioni i Buxhetit Qendror, Divizioni i Buxhetit Komunal apo ndonjë divizion tjetër”.

Para ndryshimit pika 1 e nenit 5 formulohej kështu “në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave themelohet Departamenti i Buxhetit. Departamenti i Buxhetit udhëhiqet nga Drejtori i Përgjithshëm i cili është i emëruar i lartë publik. Departamenti i Buxhetit përbëhet nga dy njësi të veçanta: (i) njësia e buxhetit qendror, dhe (ii) njësia e buxhetit komunal. Secila nga këto njësi udhëhiqen nga një i emëruar i lartë publik”.

Bajram Ajeti tha se ky ndryshim synohej për avancimin e militantëve partiakë, ngase shtoi se ka informata se njëri nga drejtorët e departamentit ose njësive të përmendura në pikën 1 të nenit 5 është avancuar.

“Kjo ka ardhë për një arsye për shkak të avancimit të klientëve, ithtarëve partiakë brenda përbrenda departamenteve. Sipas informatave njëri veç është avancuar, ka qenë drejtor i departamentit qendror, tash është avancuar,” tha Ajeti.

Ky amendament që nuk kaloi në Kuvend tash është pjesë e nenit 4 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, pas plotësim-ndryshimit.

Neni 4 i ligjit të ndryshuar ka këtë përmbajtje. “Neni 5 i ligjit bazik, ndryshohet si vijon:5.1.  Në  kuadër  të  Ministrisë  së  Financave  themelohet  Departamenti  i  Buxhetit, i përbërë nga Divizioni i Buxhetit Qendror dhe Divizioni i Buxhetit Komunal”.

Ajeti tha se çështja e futjes së amendamentit të pamiratuar në ligjin e plotësuar dhe të ndryshuar i ka shkuar Institucionit të Avokatit të Popullit.

Sipas Ajetit, nëse avokati i popullit nuk e inicion këtë çështje, atë “do ta iniciojë edhe grupi parlamentar i Nismës”.