Shpend Ahmeti voton për kryetar të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Ahmeti: Votoni në Këtë Ditë të Bukur për Demokracinë!

Kryetari i Prishtinës dhe kandidat për t’u rizgjedhur në këtë pozitë, Shpend Ahmeti, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Faik Konica”.

“Sapo ushtrova të drejtën për të votuar për balotazhin në Prishtinë. Sot është edhe më lehtë se herën e kaluar, më pak kohë. Ftoj të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote të votojnë, të dalin në numër sa më të madh sepse kjo është dita kur të gjithë e kanë të drejtën ta vendosin fatin e tyre sepse komuna e prek jetën e qytetarëve në më shumë mënyra sesa edhe qytetarët e dinë. Andaj, në këtë ditë të bukur për demokracinë ftoj të gjithë të votojnë në numër sa më të madh dhe ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar ashtu siç bëmë ne”, tha pas votimit Shpend Ahmeti.

Në qendrën e votimit Ahemti ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza.

Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes është në garë me Arban Abrashin e LDK-së për të parin e Prishtinës.

Ndryshe, sot po votohet në 19 komuna të Kosovës, të cilat në rrethin e parë të mbajtur më 22 tetor nuk arritën të zgjedhin kryetarët e tyre.
KALLXO.com transmetoi LIVE votimin e Shpend Ahmetit.