Ahmeti: Do t’u Shpallim Luftë Makinave

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti përmendi si një ndër zotimet e tij kryesore për vitin e ardhshëm adresimin e çështjes së ajrit të ndotur në Prishtinë.

Në ditët e kaluara ka pasur alarmim rreth nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet për të cilat Ahmeti në tha se është i vetëdijshëm.

Në konferencën përmbyllëse për vitin 2016, Kryetari i Prishtinës tha se autobusët e rinj që pritet të mbërrijnë sot në Prishtinë do të ndihmojnë në zvogëlimin e numrit të veturave në qarkullim dhe rrjedhimisht ndotjen.

“Ndotja vie nga shumë faktorë edhe nga ngrohjet individuale me qymyr, por përderisa kjo është mënyra më e lirë për ngrohje për shumë nga qytetarët, të paktën mund t’u shpallim luftë makinave. Me autobusët e rinj mund të ndihmojnë në zgjidhje, një autobus mund të zëvendësojë 50 makina,” tha Ahmeti.

Sot pritet të vijnë autobusët e parë për “Trafikun Urban” të blerë me një kredi të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-sot-vijne-autobuset-e-pare/

Përveç që premtoi angazhimin kundër ndotjes, Ahmeti renditi sukseset e Komunës së Prishtinës në fusha të ndryshme me theks në Drejtorinë e Investimeve Kapitale.

“I kemi dhënë 12 zotime, kemi punuar në ato dhe përtej atyre 12 zotimeve. Ka edhe shumë punë për të bërë, por Prishtinën e kemi futur në binarë,” deklaroi Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu u zotua se do të përfundojë Qendrën e Mjekësisë Familjare brenda Qendrës së Studentëve dhe këtë ai tha se po e bëjnë në mënyrë vullnetare, sepse nuk është përgjegjësi e komunës.

Drejtorë të drejtorive komunale gjithashtu përmendën sukseset më të mëdha në fushat që ata drejtojnë si hapjen e katër çerdheve në kryeqytet, shujtat për nxënësit deri në klasën e pestë, aparaturat e reja nëpër Qendrat Shëndetësore në Prishtinë, shërbimet komunale online etj..

Kryetari Ahmeti bashkë me drejtorët komunalë gjithashtu shpërndanë mirënjohje për  punëtorët e dalluar të komunës.

Në shkurt të këtij viti në “Jeta në Komunë” Shpend Ahmeti u përball me Jeta Xharrën dhe asamblistët e Prishtinës, në dyvjetorin e punës së tij si kryetar.

http://kallxo.com/kryeqyteti-ne-sedren-e-shpend-ahmetit-sami-hamitit-e-lirak-celajt/