Ahmeti: Procesi i ndryshimit kushtetues të emrit të Maqedonisë është i ndjeshëm
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se procesi i ndryshimeve kushtetuese lidhur me çështjen e emrit në Maqedoni është i rëndësishëm dhe i ndjeshëm.
Ahmeti ka thënë se për këtë proces duhet të kujdesen të gjitha institucionet e Maqedonisë sepse është proces, i cili nuk është mbyllur por është në zhvillim.
“Të them të vërtetën sikur kam një shqetësim sepse ky është një proces goxha i rëndësishëm, frikohem që të mos lëndohet nga pakujdesitë e institucioneve, të mos krijohet opinioni se ky është një proces që veç është mbyllur apo përfunduar sepse ky proces akoma është në zhvillim dhe duhet që të gjitha institucionet shtetërore, ligjvënëse, ligjzbatuese të jenë të kujdesshëm ta ruajnë nga ndonjë inflamacion i jashtëm sepse lehtësisht mund të dëmtohet imuniteti i këtij procesi”, ka thënë Ahmeti.
Ndaj këtij procesi Ahmeti ka thënë se imuniteti i tij duhet të ruhet sepse është në përgjegjësinë e gjithsecilit.
“Mendoj se nuk mund të veçoj, por të gjitha institucionet kanë përgjegjësi për ta ruajtur imunitetin e procesit, që nga organet shtet ndërtuese deri të organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese, të gjithë kemi përgjegjësi që procesi të qëndrojë i shëndetshëm dhe në këmbë deri në përfundim”, ka shtuar Ahmeti.