Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Ahmeti Përshëndet Vendimin e Haradinajt për Pallatin e Rinisë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas njoftimit se kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga AKP-ja që të nisë procedurat adekuate konform ligjeve në fuqi që Pallati i Rinisë t’u kthehet qytetarëve të Prishtinës.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Shpend Ahmeti kujton se rreth dy vite më parë Komuna e Prishtinës ka dërguar kërkesën që Pallati i Rinisë t’i kthehet në pronësi Komunës, pra të kthehet nga Ndërmarrje Shoqërore në Ndërmarrje Publike Komunale, “duke marr parasysh që Pallati i Rinisë është ndërtuar me kontributin financiar të qytetarëve të Prishtinës”.

Por, sipas tij, përkundër fjalëve Qeveria Mustafa nuk e bëri as hapin më të vogël.

E kërkesën e kryeministrit Haradinaj, Ahmeti e quajti  lajm i mirë për Prishtinën.

“Do të përkrah e përgëzoj çdo vendim të cilësdo Qeveri që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës e posaçërisht të Prishtinës. Ky patjetër se është vendim i tillë”, ka shkruar Shpend Ahmeti, duke shfaqur shpresën për përfundim të shpejtë të procesit.