Ahmeti: Nuk shkojnë bashkë përmendorja e komunizmit dhe emri Adem Jashari

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nuk mund të qëndrojnë në një vend përmendorja e ‘Vëllazërim-bashkimit” dhe ajo e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit.

Ai ka thënë se Adem Jashari meriton një vend më të mirë në kryeqytet.

“Adem Jashari meriton një vend më të mirin në Kryeqytetin tonë”, ka thënë Ahmeti.

Ka thënë se janë propozuar tre vende ku mund të vendoset shtatorja e Jasharit.

“Përmendorja e Adem Jasharit duhet të jetë në një vend meritor, i kam dërgu tri propozime, që mendoj se Varrezat e Dëshmorëve janë pika më e lartë ku duhet të vendoset”, ka thënë ai.

Një tjetër propozim i Ahmetit që është përmendur me rastin e përurimit të sheshit ishte edhe Oborri i Kuvendit të Kosovës vendi ku duhet të vendoset përmendorja e Adem Jasharit.

Kreu i Prishtinës, duke iu përgjigjur pyetjes së asamblistit, Migjen Shalës se pse nuk është vendosur ende përmendorja e Adem Jasharit në sheshin që mban të njëjtin emër, ka thënë se dicka duhet të ndërrohet në këtë shesh.

“Unë nuk kam qenë pjesë e Komunës kur është marrë vendimi që ai shesh të emërohej ashtu. Është paradoksale me qenë emri i Adem Jasharit dhe përmendorja ‘Vëllazërim-bashkimit”, ose duhet të ndërrohet emri ose duhet të hiqet kjo përmendore, edhe një herë po them unë nuk kam qenë pjesë e vendimmarrjes për emërimin e sheshit”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, komandantit Legjendar duhet t’i gjendet një vend tjetër, ndërsa shtatorja e kohës së komunizmit duhet të qëndrojë aty ku është.

“Përmendorja e ‘Vëllazërim-Bashkimit” mendoj se duhet të qëndrojë ashtu, Jo për me ju kriju lavde komunizmit por me tregu historinë e vendit tonë, kemi marrë shumë letra nga institucione kur kemi fillu sanimin e sheshit për mos me rrëzu atë përmendore”, ka thënë ai.

Migjen Shalës ka bërë thirrje që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal për rregullimin e kësaj çështjeje.