Shpend Ahmeti, VV, Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

Ahmeti e Pranon Balotazhin, Beson në Fitore

Pas rezultateve të “exit poll”-it dhe atyre preliminare të dala nga Demokracia në Veprim, Shpend Ahmeti foli shkurt para gazetarëve.

Ai e quajti “garë të pandershme” shpërndarjen e disa fletushkave sot, por tha se Vetëvendosje është e para dhe Prishtina do të mbetet me Vetëvendosjen.

“Kësaj radhe fushata do të jetë më e shkurtë,  jemi më afër kompletimit të fitores që e kemi folë”, tha ai.

Ahmeti u shpreh se kanë synuar më se paku 40 mijë vota dhe këtë e kanë arritur.

“E kemi ruajtë dhe e kemi rritë votën e qershorit 2017”, përfundoi ai.

Kujtojmë që menjëherë pas rezultateve të “exit poll”, reagoi ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu.

“’Exit poll’-et e Shkëlzen Maliqit gjithmonë e qesin VV me poshtë se që është. Ne sonte fitojmë pa balotazh”, shkroi ai në “Facebook”.

Sipas rezultateve preliminare, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës shkon në balotazh me kandidatin e LDK-së.