Agron Selimi, i akuzuar se përvetësoi mbi 19 mijë euro të Klubit 'Kosova' në Vushtrri deklarohet rreth fajësisë

Agron Selimi, i cili akuzohet nga Prokuroria e Mitrovicës për veprën penale përvetësim në detyrë u deklarua sot i pafajshëm para Gjykatës

Në seancën e shqyrtimit fillestar të udhëhequr nga gjykatësi Burim Ademi, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Njazi Rexha, i akuzuari Selimi u deklarua se ndjehet i pafajshëm, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ndërsa, Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Agron Selmin se gjatë muajit nëntor 2010 dhe mars 2011 me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar sipas detyrës.

I njëjti në cilësinë e drejtorit të KF “Kosova” në Vushtrri ka pranuar shumën 30.000.00 në emër të ndihmës financiare nga PTK-ja.

Sipas aktakuzës kjo ndihmë ishte bërë për rimëkëmbjen e klubit, kurse Agron Selmi nga shuma prej 30.000.00 akuzohet se ka përvetësuar shumën prej 19.236,00 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.

Ndërsa me rastin e deklarimit për fajësinë ai u shpreh: “Unë po theksoj se nuk e ndjej vetën fajtor për veprën penale që më vihet në barrë“.

Pas kësaj gjykatësi Burim Ademi e ka njoftuar të pandehurin se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, ndërsa për kundërshtimet nëse do të ketë, do të pranohen jashtë seancës gjyqësore.