Agron Mustafa: Telekomin do ta shpëtojë politika

Ish kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa thotë se nuk beson dhe nuk do që të besojë se Telekomi do të bankrotojë sepse, sipas tij, politika do ta shpëtojë.

Në një debat në TV Dukagjini, Mustafa tha se në kohën e udhëheqjes së tij nuk ka pasur ndërhyrje politike.

“80-90 për qind e punëtorëve në Telekom kanë kontrata të përhershme. Në kohën time janë punësuar 90 deri në 100 veta për tri vite, por jo më shumë. Për aq kohë sa Telekomi i Kosovës do të jetë pronë publike do ta ketë shumë të vështirë të ketë konkurrent në treg sepse jo rrallëherë ka ndodhur që kemi filluar të parët me një projekt, por për shkak të detyrimeve të procedurave kemi përfunduar të fundit”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë që deputeti, Milaim Zeka tha se PTK-në e ka shkatërruar Partia Demokratike e Kosovës dhe Agron Mustafa.

Ai akuzoi ish kryeshefin e Telekomit të Kosovës, duke thënë se ka vepruar nën urdhrat e udhëheqësit të PDK-së.

“Ai e di që pa politikë nuk bëhet kurrgjë. Ky s’mund të thotë se Kadri Veseli më ka thanë bë kështu edhe pse këta s’kanë mujtë me bë asgjë pa miratimin e Hashim Thaçit. Rënia drastike e Post-Telekomit të Kosovës ka ndodhur kur Agron Mustafa është emëruar drejtor ekzekutiv. Dëmi më i madh janë punësimet me kontratë mbi vepër. Të gjithë drejtorët kanë dhënë donacione lidhje e pa lidhje, së pari kanë tentu me i ble mediat”, ka deklaruar Zeka.