Foto: Kallxo.com

Agron Mustafa flet për takimin me Blerim Devollin

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka thënë para deputetëve në dëshminë e tij për gjendjen në Postën dhe Telekomin e Kosovës se e ka takuar një herë Blerim Devollin, shefin e Z-Mobile për të diskutuar rreth kontratës me këtë kompani.

Ai tha se një takim ka ndodhur në fund të marsit 2015, në të cilin tha t’i ketë premtuar Devollit se “kontrata do të zbatohet”.

“Ka pasë tentime që me u zgjidh mosmarrëveshja dhe mos me shku në Arbitrazh. Kontrata e parasheh që në rast të mosmarrëveshjeve, njëra palë mund të drejtohet në Arbirtazh. Me sa kujtoj, ka qenë një letër nga Z-Mobile në janar 2015, që thotë se nuk na mbetet gjë tjetër përpos inicimit në Arbitrazh”, tha Mustafa.

“Unë i kam pas dy takime me Z Mobile; njëra para Arbitrazhit dhe tjetra pas. I kam kërku kohë për zgjidhjen e mos marrëveshjes, por përgjigja ka qenë se tash është vonë dhe dëmi është shkaktuar”, shtoi Mustafa.

Duke folur për procesin gjyqësor në Arbitrazh, Mustafa tha se kanë qenë 6 dëshmitarë të Telekomit në këtë proces.

“Rexhë Gjonbalaj, në deklaratën e tij thotë se korporata nuk ka refuzuar dhënien e shërbimeve, por ka konstatu se ofrimi i 3G dhe 4G duhet me një marrëveshje tjetër, kontrata ekzistuese i referohet vetëm 200 mijë numrave”, tha Mustafa duke iu referuar ish-kryetarit të bordit të PTK-së.

Më herët, Mustafa ka thënë që deputeti Milaim Zeka është kundërligjshëm pjesë e këtij komisioni meqë kompania e tij ka marrë para nga PTK për reklamim.

“Deputeti Milaim Zeka kundërligjshëm është pjesë në këtë Komision. Milaim Zeka ka qenë pjesë kontraktuale e Telekomit, ku ka përvetësu deri 100 mijë euro. Kjo është kundër Kodit Penal të Kosovës. Deri para se të bëhet deputet, Milaim Zeka ka bërë shantazhe publike kundër meje, dhe jam intervistu nga policia dhe për këtë nuk duhet të jetë pjesë e këtij Komisioni”, tha Mustafa.

Por Milaim Zeka ka reaguar ashpër ndaj komentit të Mustafës.

“Krejt biografia jote flet për rrahje të femrave dhe rrahja me ‘Tarkanin’ dhe me Rexhë Gjonbalajn. Ato shantazhe që i ke ba, vazhdo bëji pas këtij institucioni. Unë s’kam pas kontratë personale por me kompaninë ‘Mozaiku’. Ti gjëërat që i ki vazhdoji pas institucioneve të Kuvendit. Agjencioni Kundër Korrupsionit e trajton a ka konflikt interesi”, tha Milaim Zeka.