AGK tregon si 'reklamojnë' ministritë e Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës(AGK) ka publikuar raportin “Paraja publike e shpenzuar në media”, raport ky në kuadër të projektit të përbashkët në mes të AGK-së dhe BIRN-it.

Sipas këtij raporti, nga 61 institucione në të cilat është dërguar kërkesa për qasje në dokumente publike lidhur më financimin e mediumeve, vetëm 35 nga ta kanë kthyer përgjigje.

Anëtarja e bordit të AGK-së, Elvira Berisha, gjatë prezantimit të raportit tha se qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë të shihet nëse paraja publike është shpenzuar si duhet në raport me mediat nga institucionet e vendit.

“Objektivi kryesor i këtij projekti ka qenë  të shihet nëse paraja publike është shpenzuar si duhet dhe si ka ndikuar në pavarësinë editoriale të medieve. Përgjatë viteve të kaluar, AGK ka vërejtur se në disa institucione publike, sidomos ministritë kanë bërë reklama nëpër portale por që shqetësuese mbetet forma e reklamimit dhe përzgjedhja selektive e disa portaleve. Banerët apo reklamat që vërehen nëpër portale nuk tregojnë për ndonjë aktivitet të veçantë të atyre institucioneve. Nëse shtyp në këto reklama, atëherë lexuesi do të shkojë drejtpërdrejt në ueb-faqen e ministrisë, gjë që nuk paraqitet ndonjë punë që dëshiron të reklamojë institucioni publik”, tha Berisha.

Autorja e raportit, Sihana Klisurica, tha se numri i përgjigjeve të kthyera nga institucionet tregon për mungesën e transparencës nga ana e institucioneve.

“Mos transparenca dhe fshehja e informacioneve nga institucionet është tregues i qartë i ndikimit që ato kanë në mediat e caktuar. Në një shtet me popullsi mbi 1.7 milion banorë, operojnë rreth 250 media vetëm online dhe 186 radio e kanale televizive dhe 5 gazeta. Numri i madh i mediumeve në vend, veçanërisht atyre online është shqetësues për faktin se për një pjesë të madhe të tyre nuk dihet pronësia. Kjo lë hapësirë për shpërndarjen e lajmeve të rrejshme dhe mos profesonalizimit në raportim. Ka raste kur në një portal të cilën as që nuk e kemi njohtë më parë, ka rezultuar e ndryshme me faqen, pra e njëjta edhe për shpërndarjen e lajmeve të rrejshme”, tha Klisurica.