AGK reagon për pengimin e gazetarëve në përleshjen në LDK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se me shqetësim ka ndjekur zhvillimet e ngjarjes së ditës së djeshme ku kameramani i agjencisë së lajmeve “KosovaPress” Enis Misimi teksa po xhironte përleshjen në kuvendin zgjedhor të LDK-së në lagjen Mati, është penguar në punën e tij nga disa persona të cilët i kanë kapur kamerën me dorë duke mos e lejuar vazhdimin e xhirimit.

“Ndërkohë gazetarja e ‘KosovaPress’ që ishte pjesë e ekipit Shqipe Pajaziti, ka treguar për AGK-në se si këta persona i kanë kërkuar të dinë se kush u ka dhënë leje që ta xhirojnë ngjarjen”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja u bënë thirrje të gjitha partive, institucioneve a çfarëdo grupi tjetër të interesit të mos e cenojnë punën e gazetarëve dhe punonjësve medial.

“Pengimi i qasjes në informacion është shkelje e lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për të qenë objektivisht të informuar. AGK inkurajon të gjithë kolegët që të mos ndalen së kryeri me profesionalizëm dhe me etikë profesionin tonë”, thuhet në reagim.

Pasditen e së shtunës në nëndegën e LDK-së në Mat të Prishtinës ka ndodhur një përleshje fizike gjatë procesit zgjedhor.

Në mediat vendore është publikuar një video ku shihen pjesëmarrësit e kuvendit zgjedhor duke u përleshur fizikisht me karrige.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar 3 persona.