AGK reagon për kërcënimin dhe sulmin ndaj xhiruesit të Televizionit të Prizrenit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit dhe kërcënimit ndaj xhiruesit të TV Prizrenit, Gramos Zurnaxhiu.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka marrë me shqetësim informacionin se xhiruesi i TV Prizrenit, Gramos Zurnaxhiu, është penguar, sulmuar dhe kërcënuar gjatë kryerjes së detyrës së tij. Zurnaxhiu me datën 19.07.2019 gjatë aksionit të Inspektoratit për rrënimin e disa objekteve në kompleksin “Abi Çarshia” në Prizren, është kërcënuar nga disa punëtorë të saj dhe persona të panjohur”, thuhet në reagim.

AGK ka vlerësuar se sulmet dhe kërcënimet e tilla nga çfarëdo grupi i interesit janë të papranueshme dhe të patolerueshme si dhe pengesat në punën e gazetarëve dhe punonjësve medial duhet të ndalen dhe trajtohen me prioritet nga organet e rendit.

“Pronari i TV Prizrenit, Muhamet Fusha, për AGK ka treguar se rastin e kanë proceduar në polici dhe se tashmë po trajtohet si kanosje. Tutje Fusha ka treguar se për sjelljen jo profesionale të stafit të “Abi Çarshia”, ka kërkuar falje pronari i kësaj qendre. Po ashtu ai ka thënë se në emër të policisë të cilët më pas kanë marrë në pyetje gazetarët e medieve lokale që kanë përcjell këtë ngjarje, ka kërkuar falje komandanti i stacionit policor”, vazhdon komunikata.

AGK u bënë thirrje të gjithë punonjësve medial që të kryejnë me profesionalizëm dhe etikë detyrën prej gazetari dhe njëkohësisht të raportojnë për çdo shkelje dhe keqtrajtim që iu bëhet derisa kryejnë detyrën.