Gazetarja Saranda Ramaj Foto: Koha.net

AGK reagon kundër veprimit të Policisë ndaj gazetares Saranda Ramaj

Gazetarja e gazetës ‘Koha Ditore’, Saranda Ramaj është ndaluar sot nga Policia e Kosovës në Pallatin e Drejtësisë, derisa ishte duke raportuar për procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi të pjesëtarëve të Policisë, të cilët e kanë konfiskuar telefonin e gazetares Saranda Ramaj, pa urdhër të Gjykatës.

‘Konfiskimi i mjeteve të punës së gazetarëve, është shkelje e rëndë e nenit 4, 5 dhe 6 e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë dhe nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut’, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje në reagim thuhet se burimet e gazetarëve janë të mbrojtura me ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, përkatësisht nenin 5 ku theksohet se:

“Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias janë të detyruar ta zbulojnë identitetin e burimit të informacionit, siç referohet në nenin 4 të këtij ligji, vetëm me kërkesë të gjykatës kompetente dhe vetëm nëse: zbulimi i identitetit të burimit të informacionit është i nevojshëm për të parandaluar një kërcënim serioz të integritetit fizik me pasojë vdekjen të një ose më shumë personave”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër këtë veprim të policisë dhe ka kërkuar nga inspektorati, që të merret seriozisht me shkeljet që sot janë bërë ndaj gazetares së “Koha Ditore”, Saranda Ramaj.

‘AGK kërkon që ky rast të ndiqet nga organet e drejtësisë në mënyrë që të nxirret një verdikt sa më i drejtë dhe i shpejtë’, përfundon reagimi.

KALLXO.com ka raportuar sot për ndalimin e gazetares Ramaj nga policia.

https://kallxo.com/gazetarja-e-kohes-ditore-ndalohet-nga-policia-ne-gjykate/