AGK e shqetësuar me gjuhën e Kadri Veselit ndaj gazetarit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka marrë me shqetësim njoftimin e kryeredaktorit te Gazetës Express, Leonard Kërquki për gjuhën e përdorur nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në një bisedë telefonike lidhur me raportimin e sotëm të Gazetës Express se Veseli ka udhëtuar pasdite për në Hagë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale. Kërquki megjithatë thekson se lajmi u publikua i bazuar në burime dhe në pamundësi që një gjë e tillë siç thotë ai, të konfirmohet nga zyra e kryetarit të Kuvendit. Sipas, Kërqukit gjuha e kryeparlamentarit ka degraduar gjatë kësaj bisede telefonike në numrin privat të tij përmes Ëatssapp-it.

“Ju shkoni ndaci edhe te nana Ajshe e jemja…. Ama mos harroni se njerëzit kanë familje, kanë fëmijë – nuk bon kështu. Po të flasë si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Jeni ka abuzoni. Vazhdoni. Mu kjo punë vec mi flladit… a po e din cka po du me thanë. Thuj atij llaposhit se unë s’ja kom shti baben në burg… E din ai… Ama dije se UCK edhe Kosovë ka me pas gjithmonë këtu”- citon Kërquki t’i ketë thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

AGK vlerëson se një presion i tillë i politikanëve dhe gjuha e përdorur ndaj gazetarëve është e papranushme dhe nuk i kontribuon krijimit të një ambienti të të bërit gazetari në Kosovë, sidomos sot kur në Ditën Botërore të Lirisë së Shprehjes u bë thirrje që gazetarëve të mos u krijohen pengesa në raportim në interes të publikut. AGK kërkon nga z.Veseli dhe politikanët e tjerë që në vend se të ofendojnë e të sulmojnë gazetarët, duhet të jenë transparent para opinionit sidomos për zhvillime të kësaj natyre, shumë me interes për qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatën e AGK-së.